Mesditën e sotme është zhvilluar një ndeshje shumë interesante e kampionatit të të rinjve, ajo në mes dy ekipeve shkodrane, Vllaznia dhe AAS. Një ndeshje “derbi” që padyshim pritej me interes jo vetëm tek tifozët por edhe tek specialistë të ndryshëm të futbollit.

Jo vetëm kaq. Për ta ndjekur atë, kanë qenë të pranishëm edhe dy pjestarë të stafit teknik të ekipit të parë të Vllaznisë, pikërisht zëvendëstrajneri Elvin Beqiri dhe trajneri i portierëve Ideal Lekiqi.

Të shoqëruar nga përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri, ata kanë ndjekur me interes lojën e zhvilluar.

Kuptohet që ata kanë qenë në këtë takim me mision të veçantë, për të parë gjendjen e lojtarëve të këtij ekipi, disa prej të cilëve madje kanë firmosur edhe kontrata me klubin ngaqë konsiderohen elementë të së ardhmes si Lekaj, Repaj e Shimaj.

Kuptohet që dyshja Beqiri- Lekiqi kanë mbajtur shënimet e veta dhe nuk është çudi që në janar ndonjë nga elementet e spikatur të ekipit U-19 t’i bashkohet ekipit të parë në stërvitje.
© shkodrasport.com