Tirana arriti të fitonte derbin e kryeqytetit 1-0 ndaj Partizanit. Sfida u vendos nga një gol i shënuar nga Limaj me penallti në pjesën e parë. I ftuar në emisionin “Skaner”, Starova u shpreh se Partizani nuk e meritonte humbjen në derbi. Më tej, “Bobi” foli edhe për incidentin e tifozëve dhe sharjet e ofendimet që ndodhin zakonisht në stadiumet shqiptare.

“Derbi nuk është vetëm krenaria e Tiranës, por e gjitha Shqipërisë. Ato që kanë ndodhur në botë, do të ndodhin edhe në Shqipëri. Flakadanët i ka e gjithë bota. Kanë edhe ato bukurinë e tyre, kur nuk hidhen në fushë.

Futbolli nuk është teatër, ka nevojë edhe për sharjet. Vetëm se sharjet tona janë pak të forta, jo si ato ne Itali apo Greqi. Bukuria në stadium në stadium, ishin edhe fëmijët, numri i lartë i femrave, me të dyja ngjyrat.

Nuk prisja ndonjë nivel të madh në lojë. Skuadrat nuk janë ende në formën më të mirë. Spektakli, jo vetëm te tifozët, por edhe të pjesa e mirë e lojës, aty futet edhe grinta. M’u duk Partizani me shpirt më të lartë në fillim të lojës. Thyenin më shumë aksione. Kishin dëshirën për të bërë maksimumin, apo edhe më shumë. Partizani, nuk më ngroh me sulmin që ka.

Të kuqtë e filluan shumë mirë lojën. Me presion, e hutoi pak Tiranën. Megjithatë u shfaq defekti. Në tranzicion nuk ia doli të përfitonte nga topat e rikuperuar. Kjo ishte një lojë, ku Partizani nuk meritonte të humbiste. Ngoo nuk e shikoj si ai i sezonit kur dolën kampionë. Seferi po ashtu. Tirana e menaxhoi mirë avantazhin.”, u shpreh Starova./newsport/