Vllaznia nuk i bëri një nisje të mirë kampionatit, teksa u mund që në ndeshjen e javës së parë nga Erzeni me rezultatin minimal 1-0. Ekipi shkodran e mori veten rrugës dhe ia doli ta mbyllë këtë fazë në kuotën e 14-pikëve, duke zënë në fund edhe vendin e katërt.

Një renditje që nuk i shkon për shtat kësaj skuadre, duke parë investimet dhe objektivat, por gjithsesi kjo e këtij sezoni nuk është faza e parë më e dobët e tyre. Ekipi i Josës ka “mundur” atë të Brdariç në sezonin e kaluar, ku kishte grumbulluar 13-pikë pas nëntë javësh dhe ishin po në vendin e katërt.

Poashtu, ky ekip ka mposhtur edhe skuadrën e Ernest Gjokës në sezonin 2017-2018, ku kishte grumbulluar vetëm gjashtë pikë pas nëntë javësh dhe ishin të parafundit në renditje. Ekipi i Josës ka “mundur” edhe atë të Cungut në sezonin 2016-2017, ku kishin grumbulluar 11 pikë dhe poashtu, kjo skuadër ka marrë pikë më shumë edhe se ekipi i sezoneve 2014-2015 dhe 2015-2016.

“Shkodra Sport” u ka bërë një krahasim 10-sezoneve të fundit të Vllaznisë sa i përket fazës së parë dhe ajo që bie në sy, është fakti që shkodranët në vetëm dy raste e kanë mbyllur të parët. Pikërisht, kur kanë qenë në Kategorinë e Parë në sezonin 2018-2019 me 22-pikë dhe para dy sezonesh, më konkretisht në edicionin 2020-2021, e kanë mbyllur me 19-pikë në krye të renditjes fazën e parë.

Faza e parë më e mirë ka qenë në sezonin 2017-2018 në Kategorinë e Parë me 22-pikë të grumbulluara, kur skuadrën e drejtonte Hasan Lika. Për të vijuar më pas, teksa para dy sezonesh, Vllaznia i shkoi shumë afër titullit kampion, ku pas nëntë javësh, kuqeblutë kishin koleksionuar 19-pikë pas një faze.

Gjithsesi, faza e parë nuk është se ka qenë shpesh tregues për Vllazninë sa i përket renditjes përfundimtare, sepse diferencën për arritjen e objektivave e kanë bërë ndeshjet në vijim. Prandaj, në Shkodër vazhdojnë të besojnë se ngjitja të paktën në zonën e Europës është një mision më se i mundur. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse “motorrët” e skuadrës do të ndizen në vijim apo do të vijojnë me rezultate dhe me lojë jo të mirë edhe në fazat e mbetura.

Megjithatë, fakti që skuadra ka arritur të gjejë disi ekuilibrat, ka sjellë shpresë në kampin shkodran se rezultatet do të vijnë dhe është çështje kohe ngjitja në klasifikim. Kjo edhe për shkak se rivalët nuk janë shumë larg dhe skuadrat janë të ngjeshura me njëra-tjetrën, teksa Partizani kryesues është vetëm pesë pikë larg. /Maringlen ZHIVANI/

Renditja në klasifikim në fund të fazave të para:

Sezoni 2012-2013 – 17 pikë

Sezoni 2013-2014 – 17 pikë

Sezoni 2014-2015 – 8 pikë

Sezoni 2015-2016 – 5 pikë

Sezoni 2016-2017 – 11 pikë

Sezoni 2017-2018 – 6 pikë

Sezoni 2018-2019 – 22 pikë

Sezoni 2019-2020 – 15 pikë

Sezoni 2020-2021 – 19 pikë

Sezoni 2021-2022 – 13 pikë

Sezoni 2022-2023 – 14 pikë