Vllaznia është në vendin e pestë në tabelën e renditjes, pas 15-javësh të vështira me luhatje dhe pengesa. Ritmi i ecurisë pozitive ka qenë i ulët disi dhe kjo ka ardhur edhe për shkak të dëmtimeve të shumta, që e kanë shoqëruar skuadrën kuqeblu që nga nisja e sezonit.
Nëse me një llogaritje të thjeshtë numërojmë ndeshjet që futbollistët e Vllaznisë kanë humbur, dalim në përfundimin se kuqeblutë kanë përballuar plot 32-mungesa për shkak dëmtimesh. Kemi të bëjmë me numra shqetësues, pasi kuqebluve u kanë munguar mesatarisht dy futbollistë për ndeshje.
Futbollistët që kanë pasur më shumë shqetësime, mund të jetë koinçidencë, por janë kryesisht titullarët dhe ata më kryesorët. Liridon Latifi vazhdon të vuajë me kaviljen, teksa deri më tani ka munguar në plot 12 beteja.
Një tjetër futbollist, që ka humbur pjesën më të madhe të ndeshjeve, pesë të tilla, është Darko Bulatoviç. Lorik Boshnjaku, një nga futbollistët kryesorë të skuadrës, gjithashtu ka vuajtur shumë problemet fizike. Ai nuk ka qenë i gatshëm për Vllazninë në pesë ndeshje, nga 15 të mundshme.
Esin Hakaj është gjithashtu një tjetër titullar që ka vuajtur dëmtimet dhe i është dashur të ndalet në “pit-stop” disa ndeshje. Ndërkohë, Kaina ka humbur tre ndeshje, Juriç dy dhe Jonuzi vetëm një për shkak dëmtimesh.
Realisht, Vllaznia meriton kritika për faktin se futbollistët kanë pësuar dëmtime të njëpasnjëshme, një pjesë e madhe të cilave kanë qenë muskulore. Megjithatë, nga ana tjetër, trajneri Josa ka një meritë të madhe për arsyen se ka menaxhuar skuadrën në një moment kur ka pasur një numër kaq të madh mungesash për shkak dëmtimesh. /Maringlen ZHIVANI/
Mungesat për shkak dëmtimesh: Liridon Latifi 12-ndeshje, Darko Bulatoviç 5-ndeshje, Lorik Boshnjaku 5-ndeshje, Esin Hakaj 4-ndeshje, Kaina 3-ndeshje, Marko Juriç 2-ndeshje, Fjoart Jonuzi 1-ndeshje