Në Madrid janë të sigurt se do të firmosin me yllin e Dortmundit, Xhud Bellingam. Mesfushori i kombëtares angleze shihet si pjesëza e fundit e mozaikut që presidenti Florentino Perez nisi të formonte 6 vjet më parë.
Nëse nga njëra anë “Bernabeu” i ri do të jetë vepra inxhinierike e artit e Madridit, në planin sportiv, ripërtëritja e gjeneratave nuk mbetet pas. Që nga vitit 2016, Reali i Madridit ka nisur “ndryshimin e madh”.
Objektivi i presidentit Perez është ndërtimi i formacionit të së ardhmes, i aftë të pasojë një gjeneratë të artë, skuadrën legjendare që mundi të fitonte mes të tjerave tri herë radhazi Ligën e Kampioneve. Mozaiku i nisur pikërisht 6 vjet më parë, vit pas viti ka marrë formë, duke plotësuar kutitë bosh.
“Ndryshimi i madh” ishte marramendës. BBC-ja (Bejl Benzema-Kristiano) e papërmbajtshme ose CMK-ja (Kristiano-Modriç-Kros) dominuese duhej të zëvendësohej. Në mes të ciklit, Madridit iu desh të përballej me largimin në të njëjtën kohë të Serxho Ramos dhe Rafael Varane, si dhe shmangien e Marselos.
Ishte një rimodelim praktikisht i plotë i një njëmbëdhjetësheje të lavdishme (9 tituj ndërmjet sezoneve 2015- 2016 dhe 2017-2018). Një revolucion i plotë me vështirësinë e shtuar të një tregu shumë konkurrues të dominuar nga superfuqi të tjera ekonomike si Paris SGja, Siti e me radhë. Pa harruar këtu dhe efektet e pamëshirshme të pandemisë.
VINICIUS-RODRIGO-ENDRIK PËR RONALDO-BENZEMA-BEJL Kush do t’i thoshte Endrikut pesë vjet më parë, kur ai ishte vetëm 11 vjeç, se firma e tij me Realin do të nënkuptonte mbylljen e ciklit të sulmit të ardhshëm të Madridit pas treshes historike Benzema-Bejl-Kristiano?!
CR7 u largua nga Reali në vitin 2018 për t’u zëvendësuar nga Vinicius, një nga premtimet e mëdha dhe me një vlerë tregu që i kalon 100 milionë eurot. Për të kompensuar largimin e Bejl, në Madrid mbërriti Rodrigo, i cili tashmë ka një rol të rëndësishëm në skuadër. Sulmi i ri i Realit të Madridit kushtoi jo pak, por 150 milionë euro.
TÇOUMENI-VALVERDE KAMAVINGA PËR KASEMIRO-MODRIÇ-KROS Valverde mbërriti pa bërë zhurmë, por rrezikoi të “digjej” pas një sezoni 2018- 2019 të dobët. Gjithsesi, besimi te Fede ishte i plotë dhe sezonin e kaluar ai shpërtheu, duke u bërë një nga mesfushorët më të mirë në botë. Në vitin 2021, Madridi që po mendonte edhe më shumë për mesfushën afroi Kamavingën për diçka më shumë se 30 milionë euro dhe verën që lamë pas afroi Tçoumenin nga Monakoja për 80 milionë euro.
Tashmë objektivi është Bellingam, i cili do të rrumbullakosë një revolucion prej më shumë se 200 milionë eurosh në mesfushë, ndërkohë që janë aktivë ende Modriç e Kros. Por kur ata të jenë larguar, puna për gjetjen e zëvendësuesve të tyre është e kryer. Duke llogaritur dhe lëvizjet në mbrojtje (Kurtua, 35 milionë euro, Alaba e Rydiger kosto zero, Militao dhe Mendi nga 50 milionë euro secili), Reali ka ripërtërirë një skuadër për gjysmë miliardi euro në vetëm 6 vjet.