Stenio Junior dhe Vllaznia janë larg ose të paktën, gjërat janë të komplikuara. Pas largimit nga Partizani, mesfushori anësor nuk është se ka shumë dëshirë që të vijë sërish në Shqipëri.
Burime pranë futbollistit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se, Junior ka njoftuar kuqeblutë se ai ka oferta nga jashtë dhe ndoshta nuk do rikthehet në Shqipëri. Një shqetësim i madh për Vllazninë që sërish beson dhe ëndërron mesfushorin brazilian.
Stenio Junior është mesfushori në bisedime me ekipin e Vllaznisë dhe që pritej të firmoste në vazhdim, nëse çdo gjë shkonte sipas planit. Aktualisht futbollist i lirë, ish-mesfushori i Partizanit po diskuton për një rikthim të mundshëm në kampionatin shqiptar.
Ai është ulur në tavolinë me drejtuesit e Vllaznisë, të cilët duan një mesfushor në krah, duke parë problemet në repartin e ofensivës, pas largimit të Victor Da Silvës. Diskutimet kanë qenë të gjata, por nuk është arritur asnjë akord përfundimtar.
Në fakt, ardhja e Junior do të ishte goditje e mirë. Futbollisti ka luajtur me Partizanin 33 takime këtë sezon. Mesfushori ka shënuar 12 gola, ndërsa në fushë ka qenë 2738 minuta.
Futbollisti është përfolur prej kohësh te Vllaznia, por akoma nuk ka mundur të firmosë, teksa vlera e kartonit e tij llogaritet në 250 mijë euro. Me ardhjen e Junior, Vllaznia bëhet “bombë” në fazën ofensive dhe është gati për të shkuar në ndeshjet e Conference League.
Mesfushori prej dy vitesh luan me Partizanin, ndërsa më parë për shumë kohë ka luajtur me Shkëndijën. Për të më parë, është interesuar gjithashtu edhe ekipi i Tiranës, por për Junior nuk ka pasur një ofertë zyrtare nga ana e kryeqytetasve, ashtu si nga ana e Vllaznisë.
Nëse Junior pranon ofertën e Vllaznisë, mund të luajë menjëherë me kuqeblutë. Me këtë blerje, skuadra do të ishte e kompletuar dhe do të kishte mundësi reale ndoshta për të avancuar në Europë.
Megjithatë, përveç Junior që akoma nuk ka një vendim, Vllaznia pritet të afrojë minimumi edhe dy futbollistë të tjerë.
Maringlen ZHIVANI