Fitorja e fundit e Veleçikut ndaj Elbasanit, në kuadrin e javës së 13-të të Kategorisë së Dytë, konsiderohet një fitore e rëndësishme për koplikasit, pasi me këto tre pikë të marra këtë javë arritën të shkojnë në kuotën e 26 pikëve në tabelën e klasifikimit, tre pikë larg Orikut që kryeson renditjen.

Një nga protagonistët e kësaj ndeshje për Veleçikun ishte Suad Bega, i cili në minutën e dytë ekzekutoi me mjeshtëri një penallti të akorduar në favor të koplikasve.

Bega, i cili luan si mesfushor, më herët ka luajtur edhe me Vllazninë, si edhe me disa skuadra të tjera, teksa në tre sezonet e fundit, ka qenë ndër pikat më të forta të Veleçikut. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, numri 8 i Veleçikut flet për ndeshjen me Elbasanin dhe shpreh bindjen se në fund skuadra e tij do të arrijë objektivat që ata kanë.

“Me Elbasanin ishte një fitore e bukur dhe e rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit. Të them të drejtën, ne ishim përgatitur për tre pikët, si çdo ndeshje në fushën tonë, por edhe rezultati e tregon se ishte një ndeshje, ku e dominuam në çdo drejtim Elbasanin.

Eshtë e vërtetë, njërin nga golat e shënova unë me anë të penalltisë dhe normalisht që jam shumë i gëzuar. Momentalisht, jemi në vendin e katërt, por kundërshtarët nuk i kemi të shkëputur. Vetëm tre pikë na ndajnë nga vendi i parë, duke e ditur se rivalët i presim në fushën tonë. Sa i përket të ardhmes së skuadrës, mendoj dhe besoj se do arrijmë objektivat që kemi për ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Në rradhë të parë, disa nga pikat e forta të ekipit të Veleçikut, janë që jemi të gjithë një grup shumë i mire, pastaj dihet që në ekip kemi lojtar me eksperiencë. Jo vetëm në Kategorinë e Parë, por që kanë dhënë shumë edhe në Superiore, si Arsen Hajdari, Arenc Dibra dhe Florind Bardulla, që do na ndihmojnë në arritjen e objektivit.

Me besimin në Zot dhe me mbështetjen që na japin drejtuesit, bashkë me trajnerin Lika dhe tifozët tonë të mrekullueshëm, mendoj që do ia dalim”,-thotë ai.

Ndër të tjera, Bega flet edhe për ndeshjen e së shtunës me Murlanin dhe shpreh bindjen se skuadra do të marrë një rezultat pozitiv në këtë “derbi”.

“Ndeshja e rradhës ndaj Murlanit është ndeshje e vështirë, por jo e pakalueshme dhe normalisht ne në fushë futemi për tre pikët. Do jetë një ndeshje e luftuar, por besoj se do të dalim të fituar.

Ekipi i Murlanit ka ekip cilësor me djem shkodranë, që dijnë të luajnë futboll dhe prandaj do jetë një ndeshje e vështirë dhe e luftuar, por ekipi i Veleçikut është ndërtuar për të fituar çdo ndeshje, edhe në transfertë”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Veleçikut, Suad Bega.
Maringlen ZHIVANI