Ditën e djeshme në qytetin e Shkodrës, presidenti i Republikës, Ilir Meta ka akorduar dy tituj “Mjeshtër i Madh” për dy figura shumë të njohura të sportit shkodran dhe më gjerë, siç janë ish-futbollisti Suad Durraj, i cili u dekorua pas vdekjes dhe kampioni i mundjes, Selaudin Rexha.
Ceremonia në fjalë u zhvillua ditën e djeshme, ku i pranishëm krah personaliteteve që u nderuan dhe familjarëve të tyre, ishte edhe shefi i kabinetit të presidencës Edmond Panariti, deputeti Agron Çela dhe këshilltari Flamur Gashi.
Suad Durraj, pas vdekjes dhe mundësi veteran Selaudin Rexha, u vlerësuan me titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”. Për tifozërinë e zjarrtë shkodrane, 3-herë kampioni kombëtar dhe po kaq edhe fitues i Kupës së Republikës së atëhershme me Vllazninë, Suad Durraj është i paharruar në kujtesën e tyre.
Karriera sportive e futbollistit shtatlartë, Suad Durraj, nuk ishte e gjatë, pasi si rezultat i një ataku në zemër gjatë kohës që zhvillonte stërvitjen në fushën e futbollit të stadiumit të atëhershëm, “Vojo Kushi”, ndërroi jetë në moshë të re. Titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar për ish-futbollistin Suad Durraj, pas vdekjes, e mori në dorëzim e motra e tij së bashku me nipin, të cilët falenderuan Presidentin e Republikës, Ilir Meta, për nderimin që iu bë Suad Durrajt.
Me të njëjtin titull, “Mjeshtër i Madh” u nderua edhe ish-mundësi kampion, Selaudin Rexha. Një sportist model i peshave të lehta, i cili nën drejtimin e trajnerit Eljaz Ahmeti ishte disa herë kampion i viteve 80-90-të. Poashtu, krahas titujve individual, Selaudin Rexha ka dhënë një kontribut të çmuar në sukseset e ekipit Vllaznia, i cili ishte lider i mundjes së lirë shqiptare të atij brezi.
Maringlen ZHIVANI