Administratori aktual i KF Vllaznia dhe ish- futbollisti i kombëtares shqiptare Suad Lici ka dhënë sot një intervistë për agjensinë turke të lajmeve “IHLAS”. Ai ka folur në lidhje me shortin e sapohedhur të eliminatoreve të Kampionatit Europian ku siç dihet, Shqipëria do të jetë në të njëjtin grup me Turqinë, Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorën.

“Pretendentët e këtij grupi për t’u kualifikuar janë Franca dhe Turqia, ndërsa Shqipëria mendoj se do të renditet e treta”- është shprehur fillimisht Lici për gazetën turke. Më pas ai ka shtuar: “Shqipëria aktualisht ka kaluar disa vështirësi serioze.

Ekipi ynë kombëtar nën drejtimin e Xhani de Biazit mori pjesë në Kampionatin e kaluar Europian dhe pas tij erdhi trajneri Panucci. Ky i fundit hasi vështirësi serioze sepse futbolli shqiptar është në ristrukturim.

Kemi një brez të rinj lojtarësh të cilët po rriten dhe po luajnë me ekipe të njohura në Itali si Elseid Hysaj tek Napoli, Thomas Strakosha tek Lacio të cilët tashmë janë emra me përvojë dhe stërviten në klube me infrastrukturë të mirë dhe do të përpiqen ta ngrenë ekipin tonë gradualisht.

Suad Lici më pas ka folur ehde për Turqinë kur ka deklaruar: “Turqia nuk mund të krahasohet me shqiptarët. Ajo ka ecur shumë më përpara në aspektin e infrastrukturës dhe objekteve sportive”

Lici ka folur shkurt edhe për Vllazninë dhe planet e saj duke thënë: “Ne nuk mund t’u ofrojmë futbollistëve paga të larta aktualisht. Për këtë arsye, po kërkojmë të gjejmë talente të reja dhe do të shkojmë në Nigeri me drejtorin sportin Engin Firat, për të gjetur lojtarë që do të na shërbejnë dhe më pas, për t’i shitur me çmime të larta.

Objektivi i sivjetëm është për të pretenduar vetëm tek kupa sepse përmes saj mund të dalim në Europë ku pastaj ekzistojnë shanset për të përfituar shumë të mëdha deri në 3 milionë euro nëse shkon në grupe dhe kjo është një shifër e rëndë për klubet shqiptare”
© shkodrasport.com