“Tirana sa herë që shkon për një ndeshje vendimtare, gjithmonë shfaqet. Edhe kur luan keq, arrin të marrë fitore. Vllaznia bëri volum por nuk krijoi raste. Tirana është pesë pikë përpara, ka pjekurin”.

Nga “Klasikja” e futbollit, tek lufta për mbijetesë në “Abissnet Superiore”. Shkëlqim Muça, i pranishëm në studion e emisionit Rubrika Sportive në RTSH, ka analizuar javën e 30-të.

Pragmatizmi bardheblu në “Loro Boriçi” – “Tirana ishte shumë më e organizuar në pjesën e parë. Me shënimin e golit u tërhoq, ndoshta nuk kishte forca të mjaftueshme, e rrezikoi veten. Mbrojtësit e Tiranës ishin në një ditë shumë të mirë, Vllaznia nuk gjeti hapësirat e duhura. Bardheblutë janë një skuadër pragmatiste, Abazaj nuk është akoma në formë, është në 50% e tij. Ka eksperiencën, ka karakterin, mendoj se është shumë e vështirë që të gabojë tani. Te Vllaznia, për mendimin tim, Hoxhaj duhet të luajë në çdo ndeshje, është lojtar që di të shënojë”.

Mungesa e stabilitetit mbrojtës te të kuqtë – “Partizani e kishte detyrë fitoren në këtë ndeshje, por pësoi gol atëherë kur nuk duhej. Për mua akoma nuk është një skuadër e stabilizuar në aspektin mbrojtës. Në çdo ndeshje pëson gol, është e njëjta sëmundje. Një skuadër që pretendon për titull nuk duhet të bëjë gabime të tilla.

Edhe njëherë për lëvizjet e shumta në formacion, lojtarët nuk njohin njëri tjetrin, nuk është e stabilizuar. Duke luajtur me njëri tjetrin, kombinojnë pa parë fare, por kur dy sulmuesit nuk kombinojnë, atëherë ka një pikëpyetje për trajnerin”.

Suksesi i krutanëve – “Fitorja e Kastriotit ndaj Kukësit nuk ishte ndonjë surprizë, duke u bazuar tek ajo që kanë treguar dy skuadrat në ndeshjet e fundit. Fillimi ishte më i mirë për Kukësin, por me kalimin e minutave u shua. Kastrioti u tregua më i qartë. Ishte një fitore e merituar për atë që tregoi në fushë, e bëri kampionatin mjaft interesant”.

Barazimi i rrogozhinasve – “Egnatia luajti 70 minuta me një lojtar më pak ndaj Laçit, bëri shumë dhe kaq, bëri një ndeshje si e barabartë. Gjithmonë u mundua të fitonte ndeshjen, nuk e ndryshoi stilin e lojës”.

Fitorja e durrsakëve – “Në këtë fazë të kampionatit fitorja e Teutës ka shumë vlerë. Një humbje do e fundoste shumë, prandaj them se ka shumë vlera. Ndërkohë, Erzeni ka filluar të rrëshkasë”.