Vllaznia e femrave arriti një rezultat historik mbrëmë ku u kualifikua në grupet e Champions League. Vajzat shkodrane arritën të mposhtnin pas shumë emocionesh ekipin e Vorskla Kharkiv. Ekipi i drejtuar nga Nikolin Leka, i mposhti ukrainaset me rezultatin 2-1, ku ndeshja e parë kishte përfunduar me shifrat 1-1.

Në këtë mënyrë, ato hynë në histori duke hyrë në grupe dhe në 16 ekipet më të mira europiane. Por kishte një dyshe që mbrëmë spikati në “Loro Boriçi”. Dy vajza të ardhura nga SHBA për të përforcuar ekipin në merkaton verore ishin me të vërtetë vendimtare. Duke filluar këtu nga portieria Williams.

Gardiania e Vllaznisë, jo vetëm që i dha një siguri prapavijës kuqeblu me daljet dhe personalitetin e saj. Por ajo arriti të priste dy penallti në duelin e dyfishtë kundër ukrainesve. Një në ndeshjen e parë të përfunduar 1-1 dhe një mbrëmë kundër Vorsklas sërish. Një tjetër amerikane që u bë protagoniste ishte edhe sulmuesja e krahut, Patterson.

Mëngjërashja arriti të shënonte një gol mjaft të bukur me kokë. E madje duke krijuar edhe hapësira dhe pasime shumë të sakta për shoqet e saj të skuadrës. Duket se goditjet në merkato kanë qenë shumë të qëlluara nga ana e drejtuesve të Vllaznisë.

Ku përveç kësaj dysheje, pjesë e formacionit ishin edhe dy amerikanet e tjera, Knox dhe Cavanugh. Apo edhe futbollistja nga Kosova, Berisha që shënoi edhe golin që kualifikoi vajzat shkodrane.
Endri ÇINARI