Vllaznia mori një fitore me shumë vlera ditën e djeshme kundër Teutës në shifrat 1-0. Kuqeblutë triumfuan ndaj durrsakëve në kuadër të javës së 33-të të Superiores. Sukses që ngjit ekipin në vendin e katërt për momentin në renditje, pozicion që teorikisht mund të garantojë kualfikimin në kupat e Europës në fundin e sezonit.

Ky 3 pikësh patjetër që ka bërë që tashmë kuqeblutë të kenë gjithçka në dorën e tyre, por edhe qetësinë e shumë munguar. Prej kohësh ambienti i futbollit në qytet ishte i pakënaqur me ekipin e po ashtu skuadra nuk po gjente reagimin. E kjo fitore sjell një ngritje psikologjike jo vetëm të futbollistëve, por edhe stafit teknik.

U pa edhe dje në ndeshjen ndaj Teutës që stoli shkodran ishte gjithmonë në tension. Duke nisur që nga trajneri Sedloski që u pa shumë aktiv në çdo moment. Duke udhëzuar skuadrën e po ashtu për të mos humbur këtë 3 pikësh të artë. E po ashtu edhe ndihmësit e tij si Lekiqi apo edhe Sinani që rrallë herë e shohim në tension ishin shumë të përfshirë në ndeshje.

Kjo tregon për tensionin dhe presionin që ka pasur në ekip e kjo u vërtetua edhe nga festa për fitoren në fund. Ku dukej se kishin hequr një “barrë” nga vetja. Tashmë ngelet në këmbët e futbollistëve e në “duart” e stafit që ky sezon të mos dështojë totalisht. Në një moment kur kanë ngelur 3 ndeshje deri në fund, Vllaznia ka në duar fatin e saj.
Endri ÇINARI