Emri i Thomas Strakoshës është lidhur prej kohësh me një transferim në Premier League te Fulham, që sezonin e kaluar siguroi rikthimin në elitën e futbollit anglez.

“Gardiani” shqiptar i dha fund aventurës me Lazion, klub me të cilin fitoi katër trofe: 2 Kupa Italie dhe 2 Superkupa Italie.

Mediet italiane raportojnë se 27-vjeçari pritet të firmosë një kontratë 4-vjeçare me pagë sezonale 1.2 milionë euro neto, ndërkohë që nuk mungojnë bonuset.

Gjithsesi, akordi zyrtar po vonon dhe drejtuesit e Fulhamit kanë hedhur sytë nga Bernd Leno, portieri gjerman i Arsenalit, i cili ka edhe një vit kontratë me klubin londinez.

30-vjeçari, i cili ka veshur 9 herë fanellën e kombëtares gjermane, luajti vetëm 4 ndeshje në Premier League sezonin e fundit me skuadrën e Mikel Artetës.

The Athletic raporton se Leno ka vendosur të provojë një tjetër aventurë në karrierë, dhe në skenë ka dalë Fulhami. Portieri dëshiron të mbetet në Londër dhe ka nisur bisedimet me drejtuesit e Fulhamit.