Deri në fund të kampionatit (Seria A) janë për t’u luajtur edhe 25 ndeshje. E thënë ndryshe, në lojë janë edhe 75 pikë në 6 muaj, por ndjenja është se barazimi në shtëpi i Napolit kundër Chievos ia ka dorëzuar një pjesë të bukur të titullit të tetë radhazi Juventusit kanibal.

Bardhezinjtë, në sajë të fitores së pritshme të së shtunës kundër SPAL, janë distancuar +8 pikë nga vendi i dytë në klasifikim (Napoli, në fakt). Ky është hendeku më i madh i krijuar mes dy vendeve të para në Seria A, pas 13 javësh kampionat, që nga viti 2000. Ky rekord i komandimit të renditjes mbahej nga Roma e drejtuar prej Fabio Capellos.

Përveç kësaj, asnjë skuadër, që nga viti 1994 (data e futjes së tri pikëve për fitoren) e deri më sot, nuk kishte fituar 37 nga 39 ndeshje, apo 12 nga 13 ndeshje radhazi të një kampionati të ri. Të gjitha këto arritje mbartin në vetvete edhe sulmin më të mirë (28 gola të shënuar) dhe mbrojtjen më të mirë (vetëm 8 gola të pësuar).

Numra që vërtetojnë një Juventus absolutisht dominues në Itali. Shpresa e kundërshtarëve tani, me pak fjalë, mbetet vetëm kalendari që në muajin e ardhshëm do të vendosë në rrugën e Juventusit mjaft pengesa sfiduese: Fiorentina, Inter, Torino, Roma, Atalanta dhe Sampdoria.

Ndjenja, megjithatë, është se ndalimi i furisë bardhezi nuk do të jetë i lehtë për askënd, të paktën në Itali. Kjo është arsyeja pse qëllimi i vërtetë i sezonit të Juventusit, sidomos pas blerjes së Cristiano Ronaldos, mbetet fitimi i Ligës së Kampionëve.

Hapi i parë, natyrisht, do të arrijë të martën në mbrëmje, kundër Valencias, kur ekipit të trajnerit Allegri i mjafton të mos humbasë për t’u kualifikuar në raundin e dytë të këtij kompeticioni (atë me eliminim direkt) dhe të vazhdojë të ndjekë ëndrrën e pamundur gjatë 22 viteve të shkuara./telesport/