Vllaznia kërkon titullin kampion në këtë sezon, teksa që pas ardhjes së Alban Xhaferit në krye, shkodranët janë tjetërsuar. Tashmë, llogaritë nuk bëhen më për fundin e tabelës, por ashtu siç u ka hije, vetëm për vendet e para.

Ndeshja e fundit ndaj Teutës u fitua thellë në shifrat 4-0, për të thyer edhe një mallkim, me Vllazninë që nuk fitonte prej katër vitesh në ndeshjen e fundit të vitit. Në përballjen ndaj Teutës, dukej qartësisht se Vllaznia e meritonte për të dalë me tre pikët padyshim, teksa jo më kot, fitoi edhe me rezultatin 4-0.

Për t’u veçuar ishte padyshim edhe mesfushori shkodran Rejan Alivoda, i konfirmuar tashmë prej ndeshjesh. Ai fitoi edhe faullin, ku u ndëshkua me karton të kuq Kotobelli. Jo vetëm ndeshjen e fundit ndaj Teutës, por pothuajse në të gjitha takimet që nga momenti që nisi të luajë si titullar, Alivoda ka treguar shumë karakter, klas dhe siguri, teksa ka qenë edhe tepër i qetë në fushën e lojës.

Padyshim që, kjo është diçka shumë pozitive, por nuk mjafton, sepse janë vetëm ndeshjet e para dhe sezoni i parë me Vllazninë, teksa e rëndësishme për të është të ruajë ritmin dhe të vijojë rrugëtimin e nisur, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ngjitet edhe më lart, pse jo për të shkuar shumë shpejt edhe jashtë vendit apo edhe drejt Kombëtares.

Rejan Alivoda është një produkt i Akademisë Vllaznia dhe konsiderohet një “xhevahir” nga i cili vetë klubi shkodran shumë shpejt mund të mbushë edhe arkën e tij. Realisht, mesfushori shkodran po e justifikon plotësisht besimin tek Vllaznia, me lojën që po zhvillon dhe po vjen në rritje nga ndeshja në ndeshje. Pa frikë mund të thuhet se të gjitha shpresat e të ardhmes së Vllaznisë, janë te ky futbollist.
Maringlen ZHIVANI