Finalja e madhe River Plate- Boca Juniors mund të luhet në “Santiago Bernabeu”. Marrëveshja është arritur deri në 90% dhe ndeshja pritet të luhet në fundjavën e 8 ose 9 dhjetorit. Pasi palët nuk po arrinin një dakordësi mes tyre, FIFA ka “kërkuar” ndihmën e Federatës Spanjolle të Futbollit për të marrë përsipër organizimin e kësaj ndeshjeje.

Në fillim u diskutua që finalja e dytë e Copa Libertadores të zhvillohet në Asuncion, më pas Doha dhe Miami, por këto opsione u përjashtuan.

Edhe pse ekonomikisht Katari do t’i jepte me tepër përfitim financiar Conmebol, një shumë prej 14 milion euro për t’u shpërndarë mes finalistëve, plus transferimin falas të një delegacioni prej 40 personash për ekip dhe akomodimin e tyre,”Santiago Bernabeu” u pa si një opsion më i favorshëm.

Këtu ka ndikuar marrëdhënia e mirë e presidentit të “Los Blancos” me homologët e tij të dy klubeve.

Atë fundjavë, Real Madrid luan në Huesca kështu që nuk do të kishte asnjë problem. Presidenti i CONMEBOL, Alejandro Dominguez, falënderoi Rubiales për ndërmjetësimin e tij, ndërsa kreu i FIFA, Gianni Infantino, konfirmoi se do të ishte i pranishëm në stadium për të parë ndeshjen./telesport/