Klinti Qato ka lënë pas dëmtimin që kishte pësuar dhe është kthyer në fushën e lojës si protagonist me Laçin, duke shënuar një gol spektakolar në sfidën ndaj Kastriotit. Mesfushori i talentuar ka deklaruar pas sfidës së sotme për “SuperSport” se ishte i gëzuar që ishte kthyer përsëri në formë dhe se vitin tjetër ishte gati bashkë me të rinjtë e tjerë të merrte më shumë përgjegjësi në ekip.

“Falënderoj grupin dhe profesor Duron për besimin që më ka dhënë në këtë moment të vështirë sepse kam qenë dy muaj jashtë për shkak të një dëmtimi dhe kthimi është me gol ndaj të njëjtës skuadre të cilin kam shënuar edhe vjet. Jam i lumtur edhe për sigurimin e Europës.

Unë e kam pare dhe në stërvitje me Ujkën e Spahiun që ka ardhur tani që kombinojmë mirë dhe besoj se do të jemi gati për vitin tjetër. A do të qëndroj te Laçi. Po, po, do të qëndroj.

Kush na ka vënë më shumë në vështirësi? Skuadra besoj që ishte Vllaznia që kemi luajtur dhe këtu brenda e kemi hasur vështirësi, Kukësi që e kemi pasur deri diku rival dhe normale Tirana, që na ka mundur në “Air Albania” dhe pastaj është shkëputur”, tha Qato.