Edicioni i ri i Superligës është në prag dhe të gjitha skuadrat janë në përgatitjet e fundit për të nisur në mënyrën më të mirë sezonin. Që tani fillojnë edhe parashikimet për skuadrat që do jenë pretendente, ku ekipet historike të kampionatit pritet të jenë protagoniste sërish.

Por gjithashtu vijnë edhe parashikimet se kush do jenë futbollistët që do shkëlqejnë apo do jenë shënuesit më të mirë. Kështu çështja e golit këtë edicion duket se do i përkasë futbollistëve shkodranë. Saliou Guindo që ishte shënuesi më i mirë i sezonit të kaluar u largua nga Laçi e ndërsa edhe Taulant Seferi i Tiranës duket pranë largimit nga Superliga.

Për tu kthyer tek futbollistët shkodranë, Rubin Hebaj mund të jetë njëri prej atyre që mund të pretendojë “Këpucën e Artë”. Sulmuesi i Teutës në gjysmën e sezonit të shkuar shënoi 10 gola nga janari në maj, duke pasur mesataren më të mirë në kampionat, e këtë sezon shihet si një pretendent serioz për çmimin individual. Eridon Qardaku i Bylis gjithashtu kishte një sezon të shkëlqyer me ballshiotët.

Në Kategorinë e Parë, ai shënoi 22 gola duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë i ligës. Patjetër ambiciet vijnë e rriten dhe ai do përpiqet të bëjë sa më mirë në Superligë. Sindrit Guri mund të jetë një tjetër sulmues shkodran që mund ti bashkohet Superligës. Ekipi i Partizanit duket shumë afër futbollistit që para pak ditësh përfundoi marrëveshjen me Shkëndijën.

Në Maqedoninë e Veriut, Guri realizoi 11 gola në sezonin e kaluar. Tashmë duhet pritur vetëm fillimi i kampionatit për të parë se kush do jenë protagonistët e këtij edicioni që pritet të jetë shumë konkurrues për të gjitha ekipet.

Endri ÇINARI