Në debutimin e trajnerit Sylvinho me Kombëtaren ka një garanci të madhe: Shqipëria nuk do të luajë më, me skemën 3-5-2. Ndryshe nga rreshtimi i përdorur nga Edy Reja, tekniku brazilian i preferon ekipet me lojë ofensive.

4-3-3 është zgjedhja e parë e ish-lojtarit të Barcelonës, Arsenalit dhe Manchester City. Provat për të përzgjedhur skuadrën më të mirë të mundshme kanë qenë të shumta, ndërsa dilemat janë pak. Në portë do të jetë kapiteni Berisha, edhe sepse Strakosha nuk ka luajtur në këtë sezon në Angli.

Në mbrojtjen e ndikuar nga lëndimet e Gjimshitit dhe Ismajlit, dyshja e qendrës do të përbëhet nga Kumbulla e Mihaj, Balliu do të luajë nga e djathta, ndërsa Hysaj majtas, aty ku si alternativë mbetet edhe Veseli.

Në mesfushë, muskujt dhe mushkëria e skuadrës do të jenë të zakonshmit Gjasula, Ramadani e Abrashi. Dilema tjetër lidhet me sulmuesët e krahut, ku përpos Asanit është provuar edhe debutuesi Mehmeti. Uzuni është i pazëvendësueshëm, teksa në majën e sulmit pritet të jetë Sokol Cikalleshi.

Kjo skemë i jep mundësi Kombëtares që në fazën e tranzicionit difensiv të kalojë me rreshtimin 4-5-1, për t’u mbrojtur nga potenciali i frikshëm sulmues i polakëve, të udhëhequr nga sulmuesi më i mirë në Europë, Robert Lewandowski.