Kampionatet kryesore të futbollit shqiptar si ai i Abissnet Superiore, i Kategorisë së Parë apo edhe ato të moshave, këtë fundjavë nuk do t’i luajnë ndeshjet e tyre të rradhës për shkak të angazhimeve të ekipeve tona kombëtare në ndeshjet zyrtare apo dhe miqësore. Në këtë kontekst, shumë prej ekipeve të Superiores e kanë shfrytëzuar këtë fundjavë për të zhvilluar ndeshje miqësore dhe kështu ka vepruar edhe ekipi i Vllaznisë.

Stafi teknik i saj, me ne krye trajnerin e sapoemeruar Auron Miloti, ka vendosur që paraditen e së nesërmes të luajnë një ndeshje ndaj ekipit U19 të Akademisë së këtij klubi. Ky takim do të luhet në orën 11:00 në fushën e kompleksit sportiv “Hasaj” ne Golem dhe do t’u shërbejë trajnerëve Auron Miloti dhe Edmond Doci për të parë ekipet e tyre në prag të ndeshjeve të rradhës.

Me shumë të ngjarë, tek kuqeblutë e rritur më shumë hapësirë në këtë miqësore do të kenë futbollistët e stolit, të cilët do të kërkojnë t’i tregojnë stafit te ri teknik vlerat e tyre dhe për t’i thënë se janë të gatshëm në çdo moment që do t’i kërkohet të aktivizohen në fushë.

Nderkohe, tek ekipi i parë i Vllaznisë ka nisur puna për të përgatitur edhe takimin e rradhës, atë që do të luajë fundjavën tjetër ndaj Bylisit në Shkodër. Momenti që po kalojnë kuqeblutë nuk është shumë i mirë pas humbjes me Lacin dhe tashmë, ata e shohin veten në vendin e peste të renditjes. Në këto rrethana do të kërkojnë të mos gabojne me, edhe ngaqë kalendari i ndeshjeve të ardhshme është shumë i favorshëm.
Maringlen ZHIVANI