Vllaznia të dielën në mesditë kthehet në “Reshit Rusi” për t’u përballur me Skënderbeun që po kalon momente pozitive në kampionat, duke vazhduar kryesimin pa humbje dhe i shkëputur me pesë pikë nga ndjekësi më i afërt, Kukësi.

 

Duke iu referuar dhe ndeshjes që korçarët do të luajnë nesër kundër Partizan Beograd, Alsid Tafili i Vllaznisë tregon objektivin e skuadrës që ai bën pjesë. Nuk shpreson te dëmtimet e kundërshtarëve, por te forca e grupit dhe puna e stafit teknik. Duke folur për mediat, Tafili ka zbuluar edhe problemet fizike, ku pohon se skuadra ka pasur mangësi.

“Kemi pasur pak vështirësi, por tani po punojmë shumë që të rritemi fizikisht. Kishim nevojë me thënë të drejtën. Kjo po shfaqet edhe në fushën e lojës. Kemi nevojë të përmirësohemi taktikisht, por edhe nga ana e moralit që kemi më shumë nevojë”.

 

“Ne jemi stërvitur në ‘Reshit Rusi’, e njohim si fushë. Skënderbeu po kalon formë të mirë, por ne jemi të uritur për tri pikë. Për ne mendoj se është në favor tonë, sepse edhe nga gjendja fizike mund të shfaqin probleme, sepse do vijnë nga ndeshja në Europa League, por ne nuk duhet që ta mbajmë mendjen aty. Ne duhet të fokusohemi te ndeshja e të dielës”.