Një fitore që më shumë se gjithçka kishte vlerat psikologjike e ka vlerësuar tre pikëshin e marrë ndaj Lushnjes mesfushori kuqeblu, Alsid Tafili.Përballjen në fundjavë me Luftëtarin, Tafili e konsideron edhe më të vështirë, ndaj bën apel që duhet harruar Lushnja dhe të shfrytëzohet kalendari me tre ndeshje brenda. Më tej, mesfushori i Vllaznisë në një prononcim për mediat, ka folur edhe për shpërdorimin e rasteve, ku për hir të së vertetes ndaj Lushnjes ishin jashtëzakonisht të shumtë. “Ndaj Lushnjës e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë sepse përveçse kundërshtari do të vinte për t’u mbrojtur, ne kishim edhe problemin psikologjik sepse nuk po e kalonim dot ngërçin e mosarritjes së fitoreve.Megjithatë gjërat shkuan mirë, krijuan shumë raste dhe pavarësisht se nuk arritëm t’i konkretizonim ashtu si duhet, e rëndësishme është që morëm fitoren e shumëpritur që ka shumë vlera për ne”- ka thënë ai. Për Tafilin, tashmë ka ardhur koha e ktheses për Vllazninë, por për t’ia arritur këtij objektivi ai kërkon edhe mbështetjen e tifozëve duke filluar që nga ndeshja e ardhshme me Luftëtarin ku Vllaznia kërkon marrjen e tre pikëve.

“E kemi të qartë se edhe Luftëtari ka pretendimet e veta dhe do të vijë në Shkodër për të marrë pikë por edhe ne nuk do të kënaqemi shumë me fitoren ndaj Lushnjës. Patjetër që do të kërkojmë fitoren ndaj gjirokastritëve por edhe ndeshjen tjetër pastaj po në shtëpi ndaj Laçit sepse na duhen këto pikë. Fitorja ndaj Lushnjës na ka ndihmuar nga na psikologjike dhe tashmë besoj se jemi më të qetë dhe kemi më shumë entuziasëm për ndeshjen e ardhshme”- është shprehur mesfushori me numrin 40 i kuqebluve. Ai me përjashtim të ndeshjeve të para në të cilat nuk ka luajtur për shkak të një dëmtimi, më pas ka qenë gjithnjë titullar duke treguar një performancë të mirë dhe është kthyer në një pikë referimi për stafin teknik me lojën e tij në repartin e mesfushës.

© shkodrasport.com