Procesi i shtrimit të tartanit në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” po shkon drejt përfundimit. Firma që po kryen punimet, e ka përfunduar shtrimin e tij në thuajse 80 për qind të të gjithë hapësirës. Ka mbetur për të përfunduar edhe në pjesën jugore të stadiumit si dhe tek pjesa e pistës së kërcimeve. Në fakt, këto punime duhej të kishin përfunduar gjatë kësaj jave por fakti që të mërkurën aty ka luajtur Vllaznia e po ashtu edhe sot luan kombëtarja e femrave, ka ndikuar në ndaljen e punës. Megjithatë tashmë pothuajse çdo gjë është gati për konkretizimin dhe të këtyre punimeve që do të përmbushin edhe gjithë investimin e bërë nga Qeveria shqiptare dhe Federata Shqiptare e Futbollit. Kështu të paktën kanë deklaruar përfaqësues të kësaj të fundit ndërkohë që nga Bashkia Shkodër, pronarja legjitime e stadiumit, në fakt presin tjetër gjë.
Sipas përfaqësuesve të saj, shpeshherë është deklaruar se presin një përgjigje edhe për palestrat e pandërtuar të shumësportëshit të cilat kanë ekzistuar poshtë shkallëve të stadiumit përpara nisjes së rikonstruksionit dhe institucioni i pushtetit lokal padyshim që pret ndërtimin sërish të tyre. Këtë gjë e pret nga ata që e kanë ndërtuar këtë impiant sportiv por duket se kjo ka për të qenë një çështje që do të prodhojë debat pas pak ditësh. Gjithsesi tartani tashmë thuajse ka përfunduar së shtruari dhe ky është një lajm i mirë për atletikën shkodrane. Tashmë në Shkodër, sportistët e Vllaznisë jo vetëm që do munden të stërviten në kushte komode por edhe në këtë qytet mund të zhvillohen takime kombëtare dhe ndërkombëtare atletike.
© shkodrasport.com