Specialistë të ndryshëm të futbollit nuk e kanë vlerësuar si shumë pozitive paraqitjen e djeshme të Vllaznisë në barazimin 2-2 ndaj Erzenit, në takimin e luajtur në stadiumin “Egnatia Arena” të Rrogozhinës.

Njëri prej tyre, pikërisht Ermal Tahiri i cili duke u bazuar tek kjo ndeshje, nuk e konsideron Vllazninë një ekip të fortë dhe pretendent për kampionatin. Ja si është shprehur dje ai në emisionin “Skaner”:

“Një ndeshje me 3 gola spektakolarë, por me një panoramë krejt tjetër. Ritmi i lojës ishte shumë i ulët. Në ndeshjen e parë luajti një rol të rëndësishëm edhe Kukësi, që u hap më gjatë dhe i dha këtë mënyrë loje Vllaznisë. Vllaznia nuk gjeti rrugët për të shënuar.

E vetmja rrugë për të shënuar ishte nga krosimet, me Balajn që ishte promotori kryesor i kësaj Vllaznie. Kjo ndeshje nuk më la mendim se Vllaznia është një ekip i fortë. U dha shpresë goli i dytë i Balajt, përndryshe ndeshja mund të mbaronte me fitoren e Erzenit.

Megjithatë, në 30 minutat e fundit nuk e pashë njëherë Erzenin të dali në sulm, gjë që tregon se nuk ka organikë, të cilën Memelli e kishte dhe për këtë gjë dhanë shenja. Ndërkohë, Erzeni mund të forcohet gjatë kampionatit, por kurrsesi nuk do të bëhet më ai Erzeni i vjetshëm, që dhuroi futboll të bukur dhe bëri ndeshje të mrekullueshme. Gjithashtu, gjendja fizike e Erzenit ishte shumë e ulët”.