Skënder Gega është trajneri i ri i Skënderbeut. 58-vjeçari tropojan u prezantua sot përkrah presidentit Ardian Takaj, i cili e mori i pari fjalën.

“Zhvillimet e fundit i dini të gjithë. E pranuam vendimin e profesor Memellit, e falënderojmë për punën dhe energjinë që dha te Skënderbeu. Dua të falënderoj profesor Gegën për vendimin për të na ndihmuar në këtë moment të vështirë.

Falë edhe miqësisë tonë të vjetër, me Gegën besoj se do të bëjmë një punë të mirë për të shpëtuar këtë sezon të vështirë. Afatet i kemi edhe më të gjatë.

Nëse shpëtojmë, do të ulemi të diskutojmë me Gegën edhe për të ardhmen e Skënderbeut. Akoma shpresojmë për një vendim të UEFA-s për të na ulur, për të na falur vendimin. Është vendim shumë i vështirë, sado klub i pasur të jesh.

Motivimi për të gjithë është shumë i vështirë pa Europë, motivimi është gjëja kryesore në futboll. Shpresa na mban për atë lloj Skënderbeu. Kishim pritshmëri më të mëdha për për këtë sezon.

Projekti ishte 2-vjeçar, ka lojtarë që kanë vite te Skënderbeu, por as fatin nuk e kemi patur me vetë këtë sezon”, deklaroi kreu i klubit korçar.