Qytetarët paguajnë për futbollin një taksë prej 1 mijë lekësh të vjetër çdo muaj, e cila është e përfshirë në faturën e ujit, por Bashkia e Gjirokastrës prej më shumë se një viti nuk jep asnjë lek për klubin e Luftëtarit. “Panorama Sport” zbulon se prej katër vitesh, që kur në krye të bashkisë ka qenë Zamira Rami, të gjitha familjet apo bizneset në Bashkinë Gjirokastër, ku përfshihet qyteti i gurtë dhe njësitë administrative Lazarat, Cepo, Lunxhëri, Picar, Odrie dhe Antigone, krahas pagesës që bëjnë për ujin çdo muaj, tek e njëjta faturë është përfshirë edhe taksa për sportin, e cila shkonte direkt si buxhet për klubin e Luftëtarit, duke qenë se është shoqëri aksionere, nga ku aty bashkia ka 25 % të aksioneve.

Dy vite më parë Bashkia e Gjirokastrës akordoi një fond prej 300 milionë lekësh të vjetër për klubin, i cili pas suksesit në sezonin 2017-2018, ku arriti të merrte pjesë në Europë, më pas në sezonin 2018-2019 thjesht qëndroi në Superiore. Mirëpo, këtë sezon (2019-2020), që përkoi edhe me ndryshimin e kryetarëve, pikërisht me ardhjen e Flamur Golemit, Bashkia e Gjirokastrës ndërpreu financimin për klubin e futbollit. Këshilli Bashkiak miratoi vetëm një fond prej 57 milionë lekësh të vjetër për t’i ardhur në ndihmë akademisë përmes investimit në kompleksin “Fusha e Vjetër”, por as në këtë terren nuk është vënë dorë.

Kësisoj, Bashkia Gjirokastër dhe kryetari i saj, ka braktisur totalisht emblemën e qytetit, Luftëtarit, duke i mohuar në këtë mënyrë edhe taksën që çdo abonent paguan në muaj dhe që duhet të shkojë për sportin. Shifra prej 1 mijë lekësh të vjetër mësohet se paguhet në Bashkinë Gjirokastër nga familje dhe biznese rreth 17 mijë abonentë. Kësisoj, paratë nuk shkojnë në destinacion dhe si për ironi të fatit, në vitin që bashkia nuk mbështeti shoqërinë e aksionerëve, Luftëtari zbriti nga Kategoria Superiore.

Disa herë presidenti aktual i klubit gjirokastrit, Bekim Halilaj, ka ngritur shqetësimin se bashkia nuk e ka shlyer detyrimin për pjesën që i takon, pasi ka 25 % të aksioneve, ndërsa 75 % zotërohen nga kompania “ANAST”. Aktualisht Luftëtari është në kaos total dhe pas rënies matematikisht nga Superiorja, ka pësuar në katër ndeshjet e fundit 20 gola.