Arrigo Saki ka thënë fjalën e tij në lidhje me përballjen mes Juves dhe Interit e cila do të jetë superndeshje pasi të rinisë Seria A. Ish-trajneri i Milanit, për “La Gazzetta dello Sport” ka deklaruar:

“Për të dyja do të jetë testi i parë i vërtetë i sezonit, përplasja direkte mund të tregojë të vërtetën për të ardhmen. Pres një Juventus të lidhur me futbollin e saj tradicional, të përbërë nga mbrojtja dhe kundërsulmet, dhe pres një Inter që përpiqet të pushtojë fushën dhe të dominojë kundërshtarin”.

JUVE – “Juve kohët e fundit ka pasur probleme të mëdha klubi dhe tani ka një motivim të fortë për të reaguar ndaj vështirësive dhe për t’u kthyer në lidership. Skuadra e Alegrit, e cila duke mos pasur angazhime europiane, mund të stërvitet gjatë gjithë javës duke shmangur udhëtimet dhe dëmtimet e mundshme, është vdekjeprurëse kur shprehet në kundërsulm.

Një karakteristikë tjetër është ajo e mbrojtjes me të gjithë lojtarët në dispozicion: Bardhezinjtë mblidhen në gjysmën e fushës së tyre, bëjnë presion në një hapësirë të kufizuar dhe përpiqen të mbyllin të gjitha rrugët e kundërshtarëve. Më pas, pasi kanë rifituar topin, vrapojnë përpara (me pak elementë) duke shfrytëzuar shpejtësinë e lojtarëve si Kieza dhe Ken (duke u pjekur ky i fundit, të paktën kështu duket).

Juvja u fokusua shumë tek individi, te forca fizike dhe përvoja. Alegri është një taktikicien shumë i mirë. Shohim pak Juve në nivel loje, kjo duhet pranuar dhe është mëkat i madh, sepse në grupin bardhezi ka lojtarë shumë të fortë, të cilët nëse furnizohen më shpesh dhe mbështeten nga një lojë solide, mund të jenë edhe më vendimtarë. Në goditjet standarde, Juventusi është gjithmonë i rrezikshëm. Ekipi përfiton nga muskujt dhe centimetrat e mbrojtësve që përparojnë. Dhe edhe në situatat një kundër një, i shoh ata si me një avantazh të vogël, sepse kur kundërsulmojnë me shpejtësi është e vështirë t’i ndalosh.”

INTER – “Detyra e Interit do të jetë të shmangë kundërsulmet e shpejta të Juventusit. Si? Mjafton një fjalë: presing. Duhet guxim për ta bërë këtë dhe duhet njohuri për të pasur gjithmonë distancat e duhura midis reparteve, por vetëm me presing mund të vjedhësh topin në zonën sulmuese, ta dërgosh kundërshtarin në krizë dhe të propozosh një kundërgoditje. Simone Inzagi, i cili po bën një punë të shkëlqyer, duhet të shmangë afrimin e bardhezinjve me zonën e tij. Dyfishimi i markimeve do të jetë thelbësor dhe do të duhet edhe një lojtar, mendoj për Çalhanoglunë, i cili do të bllokojë dhe do të ndihmojë shokët e tij.

Interi, për mendimin tim, duhet të përpiqet të dominojë lojën, sepse do ta detyronte Juventusin të tërhiqej prapa dhe mund të shfrytëzonte sinergjinë e shkëlqyer që është krijuar midis Turamit dhe Lautaros. Në Torino, zikaltrit kanë një shans të madh: të tregojnë se janë liderë të kampionatit. Edhe kjo është një arsye më shumë që mund të ndihmojë në realizimin e misionit.”