Në disa prej familjeve të legjendave që ka Kombëtarja e Shqipërisë, futbolli dhe jehona e mbiemrit do të vazhdojë të trashëgohet falë fëmijëve të tyre. Ky është rasti i Igli Tares apo edhe i Rudi Vatës. Në mëngjesin e sotëm ka ardhur edhe zyrtarizimi nga Italia se Etienne Tare i është bashkuar Lacios U-17.

Në mediat fqinje flitet se djali i drejtorit sportiv të Lacios, ka ngjashmëri të mëdha në karakteristikat e lojës, ashtu si edhe vetë ish-futbollisti i Kombëtares. I rritur në shkollën italiane të futbollit, “Shqiperia.ch” e ka kontaktuar vetë Etienne Taren për të parë edhe dëshirën e tij rreth Kombëtares:

“Është vërtet një emocion i madh për mua dhe një nder i veçantë që i bashkohem Lacios U-17. Sidomos nëse arrij objektivin tim për të veshur fanellën e flamurit më të bukur në botë. Pra, atë të Shqipërisë”, ka thënë Etienne Tare.

Nga ana tjetër, ka ende hije dyshimi sa i përket zgjedhjes së djalit të Rudi Vatës. Roko Vata, është futbollisti 13-vjeçar që shihet si një nga talentet më premtues te gjigandët skocez të Cëltic. Madje shpeshherë është kthyer në imazhin kryesor të klubit, sa bashku me yjet e skuadrës së parë.

Por Rudi Vata ende nuk i ka qetësuar tifozët shqiptarë për zgjedhjen e djalit të tij sa i përket Kombëtares, madje duke i shtuar dyshimet para disa kohësh: “Këtë pyetje ma kanë bërë edhe përfaqësuesit e kombëtares skoceze. Roko është i lindur në Skoci, por ai ka gjak shqiptari. Nëse flasim se për kë do të luaj Roko shpresoj që të arrijë deri te ky moment.

Por mendoj se do të jetë në gjendje që të vendos vetë. Unë do t’i jap sugjerimet e mia. Është akoma herët për të folur për këtë. Rruga është gjatë dhe malorja e fundit është e vështirë. Kur të vijë momenti do të vendoset”, do të shprehej Rudi Vata. /Shqiperia.ch/