Futbollisti shkodran Erdis Kraja shpreson që aventura e tij te Palermo të vazhdojë edhe në vijim, pasi sheh te ky klub potencialin për të luajtur deri në Serinë A.

Talenti shqiptar është kthyer përsëri në fushë për stërvitje, në stadiumin “Renzo Barbera”, ndërsa pret që të mësohet se si do të jetë fati i këtij sezoni në Serinë D, ku Palermo kryeson grupin e vet dhe është kandidat kryesor për ngjitjen në Serinë C.

“Si çdo futbollist edhe unë këtë vit kam pasur ulje-ngritje, por në përgjithësi jam i lumtur nga seozni që kam bërë. Qartësisht, mund dhe duhet të përmirësohem në çdo aspekt dhe është thelbësore të mësojmë sidomos nga vështirësitë.

Si brenda, ashtu edhe jashtë fushës, kam përjetuar një eksperiencë ekzaltuese në një klub të denjë për Serinë A. Shpesoj që aventuura ime këtu të vazhdojë, por është shumë herët për të menduar për edicionin e ardhshëm, pasi më parë duhet të mbyllim këtë sezon dhe të sigurojmë ngjitjen”, tha ai për faqen e klubit ku është huazuar nga radhët e Atalantës.

Pikërisht në akademinë e Atalantës ai ka njohur Andrea Rinaldin, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur pak ditë më parë duke tronditur futbollin italian. Një tragjedi që ka ndikuar shumë në jetën e Krajës në këto momente, duke iu shtuar stresit të pandemisë.

“Në pak ditë, jetët tona ndryshuan në mënyrë radikale dhe ky është ndoshta aspekti që më ka shqetësuar më shumë gjatë kësaj situate. Familja ime banon në një nga zonat më të goditura në Itali por për fat të afërmit e mi janë mirë.

Natyrshëm që kjo distancë më ka bërë të ndjej shqetësim, por nuk kam reshtur kurrë së mbështeturi familjarët e mi edhe nga larg. Gjatë periudhës së karantinës kam kaluar kohën duke u stërvitur e duke bërë video-telefonata me familjarët e mi, të dashurën dhe shumë miq.

Meqë ra fjala, dua t’i kushtoj një mendim me zemër ish-shokut tim Andrea Rinaldi, jam i tronditur nga lajmi që u nda nga jeta. Shpeshherë jeta është shumë e vështirë, shpresoj që tani të jetë në një vend më të mirë dhe do ta kujtoj gjithmonë me shumë ngrohtësi.

Këto janë ditë që kanë rritur dëshirën që të bëjmë mirë, për këtë arsye dua edhe t’i bëj komplimente kryeministrit shqiptar Edi Rama për mbështetjen që i dha vendit tone. Unë jam lindur në Itali por lidhja që kam me Shqipërinë është shumë e fortë”, ishin fjalët e mesfushorit shqiptar. /vipsport/