Igli Tare është një mjeshtër sa u përket afrimeve të lojtarëve nën kosto dhe shitjes së tyre për çmime më të larta. Por tani te Lacio atij i duhet që në janar të mos mendojë për afrimet, por për largimet e futbollistëve të cilët nuk po gjejnë më hapësira te bardhekaltrit dhe janë thjesht një “peshë” më shumë për klubin.
Në një prononcim të dhënë sot, ai ka folur jo vetëm për merkaton që pritet nga klubi i cili po kalon disa momente vështirësie në kampionat, por edhe për Ligën e Europës, një aktivitet ku shorti e ka vënë përballë me një prej skuadrave më të forta të mundshme, Seviljes që është edhe rekordmenia e titujve të fituar.
“Duhet të shkruajmë historinë duke u përballur me Seviljen, por duke parë edhe skuadrat e tjera, mendoj se nuk ka më ndeshje të lehta. Nuk do të jetë e lehtë as për ta, Lacio do të luajë këto ndeshje me objektiv kalimin e turit. Deshëm të rritnim pritshmërinë dhe tani do të ndeshemi me kundërshtarë që kanë peshë.
Ndërkohë, do të kemi lojtarë që nuk gjejnë hapësira, nuk është e thjeshtë të menaxhosh një grup kaq të madh futbollistësh. Ndaj do të ketë lëvizje në dalje për 3-4 lojtarë ndërsa do të shohim nëse do të ketë të tjerë që vijnë në janar.
Duhet të mendojmë për veten, ka shumë probleme thelbësore pasi patëm lojtarë kyç të cilët kanë qenë të dëmtuar dhe kanë bërë që të mos shfaqeshim si në vitin e kaluar. Tani pritshmëria jonë është rritur dhe me një fitore që një javë më parë mund të ishim të katërtit. Duhet shumë ekuilibër, por mund të bëjmë më mirë se kaq”, tha Tare, /vipsport/