Harmon Van Dave është lojtari i cili shënoi në portën e Vllaznisë sezonin e shkuar në ndeshjen e shkodranëve kundër Laçit. Sulmuesi nga Liberia i dha fitoren në atë takim në shifrat 1-2 në “Loro Boriçi”. Ky është edhe suksesi i fundit i bardhezinjve në 5 vizitat e fundit në Shkodër.

Por afrikani i cili ishte një nga më të spikaturit tek kurbinasit sezonin e shkuar tashmë ëahtë shndërruar në një “objekt misterioz”.

Ai nuk është më pjesë jo vetëm e formacionit titullar, por rrallë preferohet të aktivizohet edhe nga stoli nga ana e trajnerëve. Si Vuçkeviç ashtu edhe Josa tani nuk po e preferojnë më sulmuesin.

Së bashku me Nuwabuezen në sezonin e shkuar ata formonin një nga dyshet më të mira të kampionatit. I spikatur për shpejtësinë dhe driblimet e tij, Harmon ishte një rrezik konstant për çdo mbrojtje në Superligë. Një gjë të tillë e vuajti edhe Vllaznia në javën e 18-të të sezonit të shkuar, ku 26-vjeçari ishte protagonist.

Por ardhjet e Zarubica i cili ka shënuar 4 gola deri më tani në kampionat apo edhe Guindo me 3 gola duket se e kanë lënë në “hije”.

Gjithsesi pavarësisht se me shumë mundësi Van Dave nuk do jetë pjesë e formacionit, Laçi mbetet i rrezikshëm në sulm me lojtarë si Mazrekaj, Guindo apo edhe Zarubica.
Endri ÇINARI