Xhuliano Skuka është sensacioni i vitit në futbollin shqiptar. 24-vjeçari la Dinamon në janar të këtij viti pas një eksperience të dobët dhe që atëherë vetëm ka thyer tabu dhe ka arritur gjëra të mëdha me fanellën e kuqe.

Te Partizani po udhëheq thuajse gjithë sulmin, ku ka shënuar gjysmat e golave të të gjithë ekipit, teksa së fundmi debutoi edhe në Kombëtare.

Shkëlqeu në vetëm 6 minuta në ndeshjen ndaj Italisë dhe shënoi ndaj Armenisë. Këto paraqitje me Kombëtaren pritet të përbëjnë edhe kthesën e madhe të karrierës së dibranit.

OFERTA – Të luash në Kombëtare, e aq më shumë të bësh mirë, rrit ndjeshëm interesin nga klubet e huaja dhe kështu ka ndodhur edhe me Skukën.

Në drejtim të Partizanit ka pasur një interes ndjeshëm të shtuar për sulmuesin. Së fundmi një skuadër me mjaft histori në kampionatin amerikan, MLS, interesohet seriozisht për Skukën.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se San Hoze Ërthkuejks ka gati çekun prej 1 milionë dollarë në këmbim të yllit të Partizanit, e vlefshme për muajin janar.

Kjo shifër është një nga ofertat më të mëdha të ardhura ndonjëherë për një lojtar të Partizanit, çka e bën klubin e kuq të mendohen thellë përpara se të vendosë.

Ndërkohë edhe për Skukën është gati një pagë e majme, madje shumë më e lartë seç do të merrte në rast se do të transferohej në një klub në Europë.

Para pak ditësh mediat italiane raportuan për interes në Leçes, që luan në Serinë A për dibranin e Partizanit, teksa dilemat bëhen edhe më të mëdha tani.

SAN HOZE – Ky klub nga Kalifornia nuk është i panjohur për shqiptarët. Jahmir Hyka ka qenë pjesë e tyre për dy sezone në vitet 2017-‘19, ku ka shënuar 6 gola në 49 ndeshje të luajtura. Ërthkuejks në shqip përkthehet tërmete.

San Hoze është klub i themeluar në vitin 1996 dhe që atëherë ka fituar dy herë titullin e MLS dhe po aq herë trofeun “Suporters Shild”.

Klubi kalifornian luan prej 15 vitesh në MLS. Stadiumi i San Hoze quhet “Earthquakes Stadium” dhe ka një kapacitet prej 18 mijë spektatorësh.