Nuk e ka tradhtuar Flamurtarin as në ditët më të vështira, ndaj nuk kishte si ta mendonte largimin tani. Mateo Qarri është i angazhuar për të dhënë kontributin e tij te vlonjatët, me qëllim që 2023-shi t’i gjejë në elitë. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, 23-vjeçari sfidon hapur edhe emra si Dinamo e Skënderbeu. Mbrojtësi hapur thotë që nuk kanë rivalë dhe nuk do ta diskutojnë kthimin në elitë.
“Kam qëndruar me dëshirën më të madhe, ndonëse më kishte mbaruar kontrata. Dua që të realizojmë objektivin që kemi. Nuk iki, pa çuar ekipin aty ku e ka vendin. Ne nuk kemi asnjë rival, përveç vetes. Kështu që, do të bëjmë punën dhe detyrën tonë duke luftuar deri në fund. Ndoshta do të jetë e vështirë për shkak edhe se luajnë ekipe me emër dhe me traditë sezonin e ardhshëm, por unë e them me shumë bindje që ne nuk kemi dhe nuk do të kemi rivalë.
Merkatoja po vazhdon. Këto janë gjëra që i dinë më mirë trajneri e presidenca dhe nuk na takon ne futbollistëve që t’i komentojmë. Por mendoj se ata po bëjnë një punë të mirë dhe gjërat e duhura. A i druhemi konkurrencës? I bën mirë çdo futbollisti. Nuk më tremb aspak një gjë e tillë. Nuk ka rëndësi kjo. E rëndësishme është që skuadra të arrijë objektivin pasi të gjithë jemi për një qëllim.
Unë kam dhënë maksimumin tim në të gjithë këtë kohë të gjatë që jam pjesë e skuadrës dhe këtë gjë do ta bëj edhe në vijim. Unë mendoj se në vitin 2023 Flamurtari do të jetë në Superiore. Ky është qëllimi i klubit dhe yni si futbollistë”, përfundoi Qarri.