Humbja e fundit që Kukësi pësoi në transfertë ndaj Teutës, e ka larguar skuadrën verilindore jo pak nga objektivi që ishte titulli kampion dhe tashmë, në klub po mendojnë seriozisht për të ardhmen. Mbrëmjen e djeshme, u raportua se presidenti Safet Gjici ka vendosur të shkarkojë trajnerin Armando Cungu i cili e mori drejtimin e skuadrës në verë, kur skuadra do të luante në Ligën e Europës.

Vendin e tij në skuadër, flitet se do ta marrë menaxheri i përgjithshëm, Ramadan Ndreu i cili ka eksperiencë si trajner pasi edhe në të kaluarën ka drejtuar jo pak skuadra në Shqipëri dhe mes tyre, ka punuar më parë edhe me Kukësin dhe në muajt e fundit, e ka njohur më shumë skuadrën.

“VipSport.al” ka kontaktuar me vetë Ndreun i cili shprehet se ende nuk është marrë një vendim në lidhje me stolin e Kukësit dhe se gjithçka pritet të qartësohet orët në vijim.

“Stërvitja e sotme ka përfunduar dhe stafi vendosi që ta drejtonte zv.trajneri, Rrahman Hallaçi. Isha unë dhe Nexhipi, kur presidenti vendosi që Hallaçi të dilte sot në stërvitje”, tha Ndreu.

I pyetur për një shkarkim apo pezullim të Cungut, ai shprehet se ende nuk ka gjë zyrtare dhe se vetë Gjici, do të marrë një vendim, me shumë gjasa ditën e sotme. Në media lakohet emri i tij si pasues i Cungut, por Ndreu pranon se nuk ka pasur ende asnjë bisedim për këtë çështje.

“Nuk di nëse Cungu është pezulluar apo shkarkuar pasi vetë Gjici nuk ka marrë një vendim për këtë çështje. Orët në vijim besoj se do të qartësohet gjithçka.

E kam lexuar dhe dëgjuar që mund të jem unë trajner i Kukësit, por në fakt ende nuk kemi biseduar dhe vendosur asgjë, por mund të them se gjërat mund të vazhdojnë edhe në këtë mënyrë, me Cungun trajner. Të presim dhe të shohim çfarë do të vendosë Gjici”, u shpreh Ndreu./vipsport/