Fitorja e djeshme ndaj Vorës me shifrat e thella 6-1 ka qenë dhurata më e bukur që Vllaznia u ka bërë tifozëve të saj për 100 vjetorin e klubit.

Por kuptohet se një fitore e tillë në kategorinë e parë kuptohet që nuk i ka kënaqur si duhet këta tifozë të cilët presin një Vllazni pretedente për titull në Superligë siç ka qenë gjithmonë dhe jo siç është tani.

Ai që bëri përshtypje në ndeshjen e djeshme ka qenë numri i madh i golave që Vllaznia shënoi, plot 6. Shkodranët në fakt dallohen për “kavalierllëkun” e tyre dhe asnjëherë nuk kanë dashur që të shënojnë shumë gola ndaj kundërshtarëve edhe kur i kanë gjetur ato në një ditë të dobët.

Po kur ka shënuar për herë të fundit Vllaznia gjashtë gola? Duhet të kthehemi shumë prapa në kohë për ta gjetur këtë shifër.

Në fakt ajo është përsëritur tre herë brenda të njëjtit sezon, pikërisht 15 vjet më parë. Ishte java e parë e kampionatit 2004-2005 kur Vllaznia priste në Shkodër Teutën të cilën e mundi me të njëjtin rezultat: 6-1.

Autorë të golave në atë takim për shkodranët ishin administratori aktual i Vllaznisë Suad Lici, Ziambo, Hamdi Salihi dy gola, braziliani Abilio dhe Egerçi.

Po gjatë këtij kampionati Vllaznia në fakt do të arrinte edhe dy fitore të tjera, madje edhe më të thella në shifra dhe të dyja ndaj Laçit. Konkretisht më 23 tetor 2004 me rezultatin 7-0 dhe më 5 maj 2005 me rezultatin 8-0.

Që atëherë, ekipi shkodran asnjëherë nuk e ka prekur shifrën gjashtë të golave të shënuar në një ndeshje kampionati dhe u desh takimi i djeshëm ndaj Vorës për ta përsëritur këtë gjë pas plot 15 vitesh.
© shkodrasport.com