Opinion nga Admir Uruçi

Një javë më parë trajneri Duro bëri të njëjtën lëvizje edhe në Berat dhe rezultoi se nuk ishte zgjidhja e duhur. Vllaznia ishte në avantazh 2-1 dhe në vend që të ruante këtë avantazh, e shtyu skuadrën shumë mbrapa dhe prandaj erdhi goli në fundin e ndeshjes duke prishur jo pak punë.Nëse në Berat deri diku tërheqja ishte edhe e justifikuar sepse luante në transfertë, në Shkodër tërheqja e bërë në fushë përballë Shkumbinit, nuk kishte shumë sens mendoj unë.

Vërejmë njëfarë stepje të lojtarëve, pse duhet t’i tremben Shkumbinit në Shkodër në momentet kur ata kanë gjithçka në dorë, kur kanë në dorë avantazhin, kur kanë zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë. Në 30 minutat e fundit të ndeshjes, Vllaznia është mbyllur në zonën e saj dhe në minutën e 89-të, ka qenë një rast i mirë i peqinasve që mund t’i kishte penalizuar. Shkodranët besoj se janë të kënaqur me fitoren, me vendin e dytë dhe ndoshta dëshirojnë që të vazhdojnë në këtë rrugë por kuptohet që duhet luajtur pak më ndryshe. Nëse tërhiqet Vllaznia në Shkodër ndaj Shkumbinit, çfarë do të bëjë ajo ndaj skuadrave si Tirana e Flamurtari me të cilat do ndeshet në javët e ardhshme? Nëse ka kritika për këtë gjë, sigurisht që nga të gjitha palët janë kritika miqësore. Shkodranët njihen si njerëz që pëlqejnë të bukurën dhe për rrjedhojë ndoshta shumë prej tifozëve, më shumë sesa një fitore me lojë të shëmtuar, duan një lojë të bukur pa e ditur se çfarë rezultati do dalë në fund. A mundet Vllaznia t’i bëjë të dyja këto? Nëse nuk mundet plotësisht për vetë kontigjentin që ka, të paktën të mundohet.