Mesfushori kuqeblu Ndriçim Shtubina është I bindur se skuadra, pjesë e së cilës ai është, mund të përballojë çdo lloj kundërshtari. Në ndeshjet e fundit, numri 7 I Vllaznisë ka dhënë kontributin e tij maksimal për të duke ndihmuar në arritjen e rezultateve positive. Këto rezultate sipas tij do vazhdojnë edhe në ndeshjen e rradhës që do të luhet në Durrës ndaj Teutës. Lidhur me këtë ndeshje ai do thoshte: “Teuta është një kundërshtar I vështirë për çdo skuadër por ne nuk trembemi për të luajtur me asnjë ekip. Vllaznia po e tregon në këtë kampionat se është në gjendje të përballojë këdo. Me përjashtim të ndeshjes së parë që kemi humbur me Skënderbeun kur ekipi ishte ende I paorganizuar mirë, në ndeshjet e tjera kemi treguar vlerat tona dhe për rrjedhojë, sot me shumë meritë jemi në vendin e dytë në renditje.

Një vend që nuk na e ka falur askush por kemi merituar gjithçka. Edhe në Durrës do të kërkojmë të marrim fitoren pavarësisht se siç e thashë, do ndeshemi me një skuadër të mirë siç është Teuta”. Shtubina ka folur edhe për ndeshjen e fundit me Shkumbinin për të cilën ka kritika për tërheqjen në pjesën e dytë. Duke u ndalur pikërisht tek kjo ndeshje, mesfushori I krahut të Vllaznisë do deklaronte:  “Besoj se e kemi dominuar ndeshjen. Kemi patur shumë raste shënimi në pjesën e parë dhe megjithëse shënuam një gol, u munduam ta administrojmë pastaj atë. Kuptohet që duhet të luajmë edhe në mbrojtje për të ruajtur rezultatin pasi Vllaznia nuk është Barcelona të luajë 90 minuta në sulm. E rëndësishme është që morëm një tjetër fitore dhe tashmë jemi të dytët në renditje dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë që kemi nisur”. I pyetur ndërkohë për formën e tij aktuale pasi në fillim të sezonit Shtubina nuk e nisi si titullar, ai do të përgjigjej: “Kam ardhur tek Vllaznia për të bërë më të mirën time për këtë skuadër dhe që në fillim kam qenë I gatshëm për të luajtur në fushë. Në fillim ishin zgjedhjet e trajnerit që të mos e nisja si titullar por unë vazhdova punën sërish dhe tani po luaj rregullisht. Po mundohem të jap më të mirën time dhe kështu do vazhdoj. Forma ime ka ardhur gjithnjë në rritje dhe besoj se kam ende për të dhënë”.

Gjergj KOLA