Partizani ka vijuar dje përgatitjet për ndeshjen e nesërme ndaj Vllaznisë në stadiumin e kuq në orën 17:00, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Sfida e parë ka përfunduar me shifrat 3-1 për shkodranët, teksa përmbysja shihet si një mision i vështirë, por jo i pamundur.
Në seancën stërvitore kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët, teksa fatmirësisht në javët e fundit dëmtimet nuk kanë qenë të shumta. I vetmi që shqetëson aktualisht është Bruno Telushi, i cili ka një problem të vogël muskulor dhe vë në rrezik ndeshjen e nesërme. Gjithsesi, prania e tij do të përcaktohet ditën e sotme në stërvitjen e fundit. E gjithë pjesa tjetër e skuadrës do të jetë në dispozicion.
Për skuadra si të Superiores, që kanë limite, të luash në dy fronte nën një ngjeshje të madhe ndeshjesh, është një ndërmarrje e vështirë. Në Kupë zakonisht janë bërë rrotacione, por Kolela këtë herë është në dilemë, pasi ndeshja e parë është humbur me shifrat 3-1 dhe nesër në 17:00 kërkohet me patjetër përmbysja, nëse duan të shkojnë te Kupa pas gati dy dekadash.
Trajneri italian pas sfidës së luajtur në Shkodër theksoi një lodhje të titullarëve, çka mund ta shtyjë që në këtë gjysmëfinale të bëjë rrotacion, siç ndodhi edhe në sfidën e parë, ku një pjesë e titullarëve e nisën nga stoli. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë. E rëndësishme është që të gjithë janë në dispozicion.