Nga Endri ÇINARI

Kategoria Superiore i ka dhënë thuajse të gjitha verdiktet e sezonit 2023-24. Ku pritet vetëm finalja e kampionatit për të përcaktuar fituesin mes Egnatias dhe Partizanit. Kjo pasi tashmë dihet se Laçi do jetë pjesë e elitës sërish edicionin tjetër. Pasi kurbinasit mposhtën në ndeshjen “play off” Flamurtarin me shifrat 3-1.

E ndërsa nga Superliga janë rrëzuar Erzeni dhe Kukësi, që sezonin tjetër do jenë pjesë e Kategorisë së Parë. Pikërisht nga këro dy skuadra mund të përfitojnë skuadrat e Superiores për të afruar disa nga elementët cilësorë. Vllaznia që po synon aktualisht përforcime në tregun vendas, mund të shohë dy futbollistë shumë interesantë për krahun e djathtë të sulmit.

Tek Kukësi ka shkëlqyer në sezonin që po lëmë pas, Salami. Nigeriani i verilindorëve ka qenë një prej futbollistëve që i ka nxjerrë shumë punë mbrojtjeve kundërshtare. Ku me lëvizjet dhe aftësitë e tij dribluese ishte lojtari që mbante në tonus sulmin kuksian. Me 4 gola në llogarinë e tij, ai mund të jetë një opsion shumë intereant për merkaton kuqeblu. E po ashtu mosha 22-vjeçare tregon për një futbollist që edhe mund të shitet në të ardhmen.

Por lojtarë cilësorë ka edhe tek Erzeni, në krahun e djathtë po ashtu është paraqitur në mënyrë të shkëlqyer, Zeka. Një lojtar me cilësi teknike të padiskutueshme dhe që e njeh mirë kampionatin shqiptar. Gjithashtu një futbollist që mund ti bëjë punë Vllaznisë dhe që u diskutua edhe sezonin e shkuar është edhe Kahrimanoviç. Me mesfushorin kroat që ishte shumë pranë kuqebluve, por që marrëveshja nuk u arrit vetëm në momentet e fundit./www.shkodrasport.com/