Kjo fundjavë ka rezervuar ndeshjen Veleçiku- Dinamo, e vlefshme për javën e parë të fazës së dytë të kampionatit të kategorisë së parë. Koplikasit mezi e presin edhe këtë ballafaqim sepse duan të tregojnë vlerat e tyre ndaj një tjetër ekipi pretendent.

Në fakt, drejtuesve dhe futbollistëve të Veleçikut “u ka mbetur peng” humbja edhe në fazën e parë në Tiranë, një humbje e pamerituar vetëm falë një goli të pësuar nga një goditje standarte. Por tashmë është histori tjetër.

Veleçiku ka treguar se në “Reshit Rusi” është i pathyeshëm sepse i ka fituar të katër ndeshjet e luajtura në këtë fushë. Do të tentojë ta bëjë edhe ndaj bluve të Allmuçës.

Problem mbetet vetëm gjendja jo e mirë shëndetësore e 2-3 lojtarëve titullarë megjithatë java e pushimit që lamë pas, ka ndihmuar për rikuperimin e tyre dhe shpresohet shumë që ata të jenë në fushën e lojës.

Një problem do të jetë mungesa e trajnerit Duli në pankinë i cili siç dihet është i pezulluar për dy javë nga Komisioni i Disiplinës por pjesa tjetër e stafit do të dijë të drejtojë ashtu si duhet ekipin në kërkim të fitores së pestë.
© shkodrasport.com