Ditën e sotme, janë luajtur shtatë ndeshjet e javës së 24-të të Kategorisë së Parë. Kështu, Tërbuni fitoi minimalisht 1-0 ndaj Butrintit dhe me këtë fitore, skuadra pukjane mori vendin e katërt, me 38 pikë.

Goli i Kekos pas gjysmë ore lojë, mjaftoi për pukjanët e trajnerit Beqiri, për të marrë tre pikët. Pjesa e dytë nuk ka prodhuar gola mes skuadrës pukjane dhe sarandiote, duke bërë që ndeshja të mbyllet me rezultatin 1-0.

Kështu, Tërbuni siguroi fitoren e 9-të sezonale, teksa duhet thënë se një meritë të madhe për këto rezultate të pukjanëve, e ka edhe trajneri shkodran, Elvin Beqiri, i cili po i merr maksimumin e mundshëm këtij grupi.

Me këtë fitore, Tërbuni renditet në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit, në kuotën e 38 pikëve, teksa ndeshjen e rradhës do ta luajë pas dy javësh me Besën në transfertë.

Maringlen ZHIVANI