Vllaznia zhvilloi një ndeshje katastrofë sot. Skuadra kuqeblu zhgënjeu në të gjitha drejtimet.

Sulm i dobët dhe pa saktësinë në gjuajtje, në ato pak raste që u krijuan, shoqëruar edhe me një mbrojtje të hapur, bënë që Egnatia të shënojë 3 gola ndaj Vllaznisë, duke bërë që ta fitojnë ndeshjen dhe në mbyllje u fiksua rezultati përfundimtar për Egnatian, 3-0. Diagne, Adili dhe Bulatoviç zhvilluan një ndeshje tepër të dobët, ndoshta nga ma të dobëtat në karrierën e tyre.

Një humbje, e cila kërkon patjetër vëmendjen e duhur përmes një analize serioze, pasi situata të tilla, kur Vllaznia luan një ndeshje katastrofë në të gjitha drejtimet, duke u mundur kështu, nuk është përsëritur në asnjë ndeshje tjetër të mëparshme.

Tashmë në vazhdim për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, stafi teknik i Vllaznisë, me në krye trajnerin Elvis Plori, ka kohë mjaftueshëm që të ndryshojë diçka te këta futbollistë, të cilët nuk kanë arritur që të japin më të mirën e tyre, në përballjen e sotme të shkodranëve ndaj Egnatias, duke lënë shumë për të dëshiruar.


Maringlen ZHIVANI