Fitorja në Laç duket se ka ndryshuar shum ëçka tek Egnatia. Trajneri Edlir Tetova e thotë hapur që në fillim të intervistës së tij për “Panorama Sport”, se serioziteti i treguar para startit të kampionatit, do të dilte në “sipërfaqe”. Madje, sipas durrsakut që drejton Egnatian, tani loja e mirë dhe rezultati po i tillë që arritën në transfertën me Laçin, kanë rritur dukshëm optimizmin për sfidën e radhës të shtunën me Vllazninë në Rrogozhinë.

“Natyrisht, do ta shtojë edhe më shumë entuziazmin e futbollistëve dhe të gjithë faktorëve të tjerë që Egnatia të funksionojnë tërësisht në harmoni”, thekson 39-vjeçari, i cili pas eksperiencës në Kosovë me Ulpianën dhe gjithashtu si ndihmës i Orge Shehit te Tirana dhe Skënderbeu, tashmë kërkon të tregojë veten si trajner i parë në krye të rrogozhinasve.


Edlir, a mund të them se fitorja në Laç i “zhduk” dyshimet që mund të keni pasur për dy humbjet e para?

Së pari, na ka përmirësuar ndjeshëm nga ana psikologjike. Së dyti, ndjehemi shumë më të qetë tani, pasi nëse do të shkonte ndryshe ndeshja në Laç, gjërat do vështirësoheshin vërtetë shumë.

Çfarë ndryshuat që skuadra gjeti fitoren?

Të parën ndryshuam skemën. Menduam të kishim një 3-4-3 në fazë sulmi dhe 5- 4-1 në fazën mbrojtëse. Duke parë që Laçi tentoi nga krahët, ne dubluam kujdesin për të mbikëqyrur rreptë lojtarët e tyre dhe çdo pozicionim të mesfushorëve e sulmuesve të Laçit. Kështu zbehëm forcën goditëse të tyre, por ne ndërkohë ishim të shpejtë dhe të qartë në stilin se si sulmuam dhe mund të fitonim më pastër.


Pas tri pikëve të para, sa do të ndikojë kjo frymë për vazhdimësinë?

Nuk kishim luksin të rrezikonim me pikët në Laç. Loja thuajse ishte si e dy ndeshjeve të para, por kishim shumë bindje, qetësi dhe përqendrim në forcat tona. Kjo më ngroh për vazhdimësinë.

Atëherë, si mund të funksionojë më mirë ky grup në vijim?

E kam thënë se na duhet pak më tepër kohë, pasi përshtatja më e mirë e ideve të lojës nga futbollistët njëri me tjetrin, minimizon edhe gabimet. Do të këtë një ndërprerje shpejt të ndeshjeve dhe kjo do të jetë një fazë e mirë për këtë gjë.

Ndeshjen e radhës e keni me Vllazninë në Rrogozhinë, çfarë prisni?

Na pret një sfidë edhe më e fortë se kjo që kaluam. Por, më përqendrim maksimal, kam përshtypjen se do të marrim më të mirën.

Keni pohuar se diçka duhet rregulluar edhe sa i përket gjuhës dhe komunikimit me lojtarët e huaj. Është kaluar ky problem tashmë?

Deri tani më kanë ndihmuar lojtarët, konkretisht Xhekson dhe Geri Selita, të cilët ua transmetojnë të huajve orientimet e mia. Por, mesa po shoh edhe ata po avancojnë të kuptueshmëria e ndoshta më vonë dhe të mënyra e të folurit. Kjo do të na ndihmonte shumë të dyja palët.