Mbarojnë pushimet për Teutën, të hënën e 4 korrikut futbollistët dhe stafi teknik zbresin, duke nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin 2022- 2023. Synimet mbeten po ato të viteve të fundit, por jo të edicionit që sapo u mbyll, renditja në 3 vendet e para. Ende nuk është përcaktuar axhenda e fazës, ndërsa për momentin dihet që deri në mes të korrikut Teuta do t’i kryejnë seancat në Durrës e më pas do të zhvendosen diku tjetër, ku do të grumbullohen për 15 ditë.

Siç dihet, gjatë muajit qershor, plot 8 lojtarë janë larguar dhe nuk do të jenë më pjesë e bregdetarëve. Ndërkohë, në Durrës ditën e hënë pritet të bashkohet me Teutën mesfushori shkodran, Uheid Hoxha, i cili dy vite më parë u transferua te Vllaznia nga Besa, por tashmë ka mbyllur bashkëpunimin me klubin shkodran dhe do të vihet nën urdhrat e trajnerit Renato Arapi.

Krahas Hoxhës, Teutës pritet t’i bashkohen edhe lojtarë të tjerë, ku kërkesat më të mëdha janë në qendër të mbrojtjes. Pritet të këtë afrime cilësore për të përforcuar mbrojtjen. Edhe pse në pamje të parë duket qetësi, te Teuta po punojnë larg vëmendjes mediatike për të gjetur lojtarët e duhur për sezonin e ri.

Trajneri Renato Arapi parashikohet të ketë një tjetër Teutë këtë sezon, ndryshe nga vjet. Gjithsesi, drejtuesit po mundohen të jenë të kujdesshëm në merkato, pasi revolucioni që ndërmorën vjet rezultoi dështim.

Nga organika e edicionit të shkuar mendohet se 16 lojtarë do të vazhdojnë të jenë nën urdhrat e trajnerit Arapi. Mes tyre bëjnë pjesë edhe këta të sezonit të shkuar: Pano Qirko, Hektor Idrizaj, Blerim Kotobelli, Artan Jazxhi, Emiljano Vila, Ledio Beqja, Lorenco Vila dhe Rubin Hebaj.