Java e 31-të e Superligës do e gjejë Vllazninë sërish në shtëpi. Kështu pas barazimit 0-0 kundër Partizanit të shtunën e kaluar, këtë fundjavë shkodranët do presin skuadrën e Skënderbeut.

Një takim i lehtë vetëm në letër, pasi kuqeblutë janë të detyruar për tu kthyer tel fitorja nëse duan të pretendojnë për një vend në Europë. Dhe korçarët duken si rivali ideal në këto momente.

Por asgjë nuk do jetë e lehtë, kjo për faktin se bardhekuqtë e kanë këtë ndeshje shansin e fundit për të tentuar mbijetesën në Superligë. Por për shkodranët lind detyra për 3 pikë.

Pikët të plota që mungojnë prej thuajse dy muajsh në “Loro Boriçi”. Më saktë Vllaznia ka marrë një fitore në Shkodër në datën 03.03.2022. Luhej java e 23-të e kampionatit dhe kuqeblutë fitonin në stadiumin e tyre.

“Viktima” do ishte Dinamo në shifrat 2-1, ku golat për 9 herë kampionët e vendit i shënonin Latifi dhe Aralica. Tashmë thuajse pas 2 muajsh, ekipi tashmë i drejtuar nga Elvis Plori do kërkojë të rikthejë fitoren dhe entuziasmin tek tifozët e tyre. Statistikat e Vllaznisë këtë edicion nuk kanë qenë edhe aq pozitive në “Loro Boriçi”.

Kjo pasi në 15 takime që kuqeblutë kanë zhvilluar në Shkodër, ata kanë marrë vetëm 26 pikë. Shumë pak po ta krahasosh me ekipet rivale si Tirana apo Laçi që në shtëpitë e tyre numërojnë respektivisht 36 dhe 30 pikë këtë sezon. Megjithatë justifikimet nuk pranohen kësaj rradhe kundër Skënderbeut ku të gjithë presin suksesin e kuqebluve.

Endri ÇINARI