Nëse ka një aspekt për të cilin Vllaznia nuk ka vuajtur kurrë gjatë historisë së saj, ata janë tifozët. Që prej krijimit të këtij klubi, që është edhe më i vjetri në vend, mbështetësit nuk kanë munguar kurrë.

Jo vetëm në Shkodër, por tifozët shkodranë ishin të parët madje që udhëtuan edhe jashtë qytetit për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës.

Madje janë të famshme historitë e tifozëve që udhëtonin me biçikleta nga Shkodra drejt Lezhës, Tiranës apo edhe Kavajës. E gjithashtu një tifozeri për tu marrë shembull, që jo vetëm ka qenë gjithmonë e shumtë në shkallët e stadiumit, por edhe e kulturuar. Ku në rastet kur kundërshtari e ka merituar fitoren, e kanë duartrokitur dhe përgëzuar.

Edhe këtë edicion, pas dy sezoneve të vështira për shkak të Covid-19, tifozët shkodranë janë shndërruar në protagonistë. Transfertat duken si ndeshje shtëpiake me aq mbështetës që udhëtojnë nga qytetit në qytet për skuadrën e tyre të zemrës.

Takimi i rradhës për Vllazninë në kampionat do jetë në transfertë kundër Partizanit. Edhe kësaj rradhe pritet një numër i konsiderueshëm tifozësh për të qenë të pranishëm në “Air Albania”.

Patjetër edhe sfida ndaj të kuqve është një duel që mbart histori të pasur, e të motivon akoma më shumë për të qenë në mbështetje të Vllaznisë.

Endri ÇINARI