Tirana kryeson Superligën me 46 pikë pas 20 javësh. Bardheblutë janë duke bërë një sezon spektakolar dhe janë 6 pikë larg nga vendi i dytë që mbahet nga Laçi, ndërsa komentet pozitive për skuadrën nuk kanë munguar nga analistët e futbollit shqiptar.

Drejtori i Teutës dhe një nga specialistët e Superligës, Sulejman Starova ka dalë kundër rrymës. I ftuar në emisionin “Skaner”, “Bobi” është shprehur se Tirana nuk ka shkëlqyer më shumë se ekipet e tjera, por ka qenë më praktike.

“Për këtë formë të Tiranës, është edhe meritë e drejtuesve. Tirana nuk ka shkëlqyer më shumë se të tjerët, por nuk është e rëndësishme të luash bukur një ndeshje, por e rëndësishme është të kesh rezultate.

Tirana ka qenë shumë praktike dhe ka kaluar ndeshje të vështira. Kanë qenë të vendosur mirë dhe ia kanë dalë. Ngo i jepte një lloj ngathtësie ekipit bardheblu. Për fat të mirë, Tiranës po i luajnë shumë mirë edhe lojtarët e rinj. Të gjithë kanë treguar paraqitje shumë të mira. Këto kanë çuar Tiranën në krye”, u shpreh Starova.