Ditën e nesërme luhet finalja e Champions League. Një nga ato ndeshje ku secila nga skuadrat e mëdha europiane ëndërron të marrë pjesë në fundin e një sezoni të lodhshëm.

Megjithatë, këtë herë fatin për ta diskutuar trofeun e kompetcionit më të rëndësishëm për nga historia në Europë, do ta kenë dy skuadra angleze, Liverpuli dhe Totenhemi.

Kjo është hera e dytë në histori që përsëritet një finale britanike, pas asaj të vitit 2008 mes Çelsit dhe Mançester Junajtid. Finalja këtë sezon është vendosur të luhet në shtëpinë e Atletiko Madrid, ‘Wanda Metropolitano’. Madridi do të jetë në qendrën e vëmendjes mbrëmjen e nesërme, ndërsa kryeqyteti spanjoll do të pushtohet nga tifozeria angleze.

Mendohet se rreth 100 mijë britanikë do të zbarkojnë në Spanjë për finalen e madhe, edhe pse shumë prej tyre nuk kanë mundur të sigurojnë një biletë.

Ndërkohë, edhe forcat e policisë në Spanjë janë në detyrë teksa 4.700 forca policie do të jenë të angazhuara për të shmangur incidentet, teksa në ndihmë do t’iu vijnë edhe dronët./VipSport/