Tifozëria e Vllaznisë është tërbuar me vendimin e gjyqtarit Olsid Ferataj, i cili nuk akordoi një gol të rregullt të Aralicës.

Tifozët shkodranë përmes postimeve në rrjetet sociale apo edhe në komentet e bëra, sidomos në statusin e presidentit Alban Xhaferi në Facebook, janë kundër gjykimit të bërë në këtë ndeshje dhe drejtuesve të FSHF, teksa sipas tyre Vllaznia po penalizohet me dashje.

Në fakt, janë me qindra komentet që janë shfaqur pas barazimit me Partizanin, të cilat kritikojnë gjyqtarin Ferataj, teksa ka edhe komente që i kërkojnë presidentit Xhaferi të marrë masa për gjykimin, pasi po bëhet e përsëritur kjo gjë.

Një rast i tillë si i djeshmi ka ndezur shumë polemika, teksa për këtë, tifozët në Shkodër kanë kërkuar nga drejtuesit që të shihet edhe tërheqja nga gara, pasi sipas tyre janë bërë shumë padrejtësi. Tifozët e konsiderojnë të rregullt golin e shënuar nga Aralica, që u anullua për faull.

Nga pamjet dallohet qartë se sulmuesi Aralica që dërgon topin në rrjetë, kërcën mbi Belicën dhe Massanga, duke goditur me kokë vetëm topin. Megjithatë, gjyqtari Ferataj mori sinjalizim nga VAR dhe pas rishikimit vendosi ta anullonte për faull, teksa në fakt është krejt e kundërta, pasi ky gol ishte i rregullt dhe gjyqtari Ferataj gaboi duke e anulluar.

Maringlen ZHIVANI