Kampionati shqiptar i drejtohet gjysmës më emocionuese të saj teksa ekipet qartësohen në objektivat e tyre dhe skuadrat fillojnë të marrin pozitat që u takojnë në tabelë. Deri në këtë pikë të kampionatit nuk ka pasur surpriza me ekipet e kryeqytetit që kryesojnë ndërsa Vllaznia direkt pas tyre.
Ashtu siç parashikohej në fillim të sezonit, titulli duket se do të qendrojë në kryeqytet ose në Shkodër mirëpo dikush tjetër ka futur “hundët” në tavolinën e kryesuesve. Egnatia po bëhet faktor i rëndësishëm në garën për titull teksa aktualisht janë në vendin e tretë me 25 pikë, aq sa Vllaznia e vendit të katërt.
Rrogozhinasit veç Tiranës me të cilët kanë dy humbje, me Partizanin e Vllazninë kanë një bilanc pozitiv duke u bërë një problem në rrugëtimin e tyre. Dy fitoret me Vllazninë dhe ajo 3-0 me Partizanin, është tregues real se kjo skuadër nuk është kot në këto nivele.
Drejtuesit kanë krijuar një ekip të dubluar në çdo repart dhe me një trajner si Shpëtim Duro që u merr maksimunin të tijve, rrogozhinasit kanë të gjitha mundësitë për të lënë shenjën e tyre e për të trazuar garën e titullit./newsport/